Mbyllen 74 faqe pornografike me fëmijë

Nga A2 CNN
17 Prill 2020, 11:01 | Sociale
Mbyllen 74 faqe pornografike me fëmijë

74 faqe pornografike me foto dhe video me fëmijë janë mbyllur në Facebook në 3 ditët e fundit. Sipas Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, e cila ka ndihmuar në këtë operacion, edhe pse në këto faqe nuk kishte fëmijë shqiptare, materialet ishin lehtësisht të aksesueshme edhe në Shqipëri.

“Raportimi fillestar u bë i mundur falë Platformës Kombëtare www.ISIGURT.AL, e cila ka marrë gjatë kësaj kohe një numër rekord ankesash nga fëmijët dhe të rriturit. Pas verifikimeve paraprake, rezultoi se videot e hedhura në disa profile specifike në Facebook nuk janë të fëmijëve shqiptare, por ato ishin lehtësisht të aksesueshme nga fëmijët dhe menjëherë të gjitha u raportuan pranë Policisë së Shtetit, me të cilën CRCA Shqipëri ka një bashkëpunim të shkëlqyer, sidomos në fushën e krimeve kibernetike apo seksuale kundër fëmijëve”, thuhet në njoftimin e Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Nga ana tjetër, sipas CRCA/ECPAT Shqipëri, mungesa e legjislacionit penal, e bën të pamundur për Prokurorinë shqiptare që t’i ndjekë këto raste për të gjetur autorët e saj. “Është hera e parë që në ISIGURT.AL brenda një periudhe kaq të shkurtër kohe të raportohet një numër kaq i lartë i faqeve pornografike me fëmijë. Çdo faqe tashmë është mbyllur, por kjo na tregon se krimet seksuale kundër fëmijëve nuk duan t’ia dinë as për kufij”, tha drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos