
Italianët e izoluar në shtëpitë e tyre u uruan Pashkën fqinjëve. Madje, brenda një pallati, duke respektuar distancimin social, hëngrën drekën me ta. Pavarësisht se ndoshta, para virusit, komunikimi mund të ishte minimal.
Videot e fqinjëve të solidarizuar në këto kohë të vështira, edhe nëpërmjet këngës, kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, si dhe kanë ngritur shqetësimin e kryebashkiakëve për këtë afrimitet të tepërt në kohë pandemie.
Po në Shqipëri, a ka ndodhur e njëjta gjë?
“Secili në punë të vet. Ata të katit vetëm njohim”, thonë qytetarët.
Sociologia Entela Binjaku shpegon aryet e kësaj indiference të shqiptarëve që tashmë në shekullin XXI, kryesisht në pallatet e reja, nuk njohin as fqinjin ngjitur: “Vijmë nga mbyllja për dekada të tëra dhe jemi edukuar me skepticizmin dhe dyshimin”.
Megjithatë, nuk mungojnë dhe ata që solidarizohen me të moshuarit dhe të pamundurit për të lëvizur në këtë kohë izolimi.
Në këtë kohë të vështirë po mësojmë të kujdesemi jo vetëm për veten, por edhe për ata që jetojnë përreth nesh. Dhe nuk ka gjë më të fuqishme se një komunitet që e di se për çfarë kujdeset: jetën! (A2 Televizion)