
Edhe sot do të zhvillohet protestë në orën 18.00, duke shënuar natën e pestë të protestave në kryeqytet, që nga vrasja e të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Në rrjetet sociale bëhet thirrje për protesta në sheshet kryesore të vendit, kundër dhunës policore, për lirimin e protestuesve, shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe reformim të Policisë.
Thirrja për bashkim në protestë u drejtohet jo vetëm të rinjve, por edhe prindërve, mësuesve, gazetarëve apo aktivistëve të ndryshëm.
Tubimet nisën pas ngjarjes së rëndë që ndodhi gjatë orës policore të marten, në Laprakë, kur efektivi Nevaldo Hadëraj qëlloi dy herë me armën e shërbimit të riun, pasi nuk pranoi të ndalonte kur i bëri thirrje. Klodian Rasha u qëllua në kokë dhe në shpinë dhe, sipas prokurorisë, e gjithë ngjarja ndodhi në më pak se 3 minuta.
Pas natës së parë të protestës në Tiranë, ministri i Brendshëm dha dorëheqjen, por kryeministri Edi Rama deklaroi se kryepolici Ardi Veliu do të qëndrojë në detyrë. (A2 Televizion)