
Fakto.al ofron një gazetari të re në Shqipëri, të bazuar në Fact-checking, pra në verifikimin e lajmeve. Gazetarja Klodiana Kapo mendon se kjo metodë mungon tek pjesa më e madhe e medias shqiptare, jo për faj të gazetarëve, por të logjikës mediatike. “ Problemi nuk qëndron te formimi i gazetarëve, problemi më i madh është media, cila lajmet duan ata të komentojnë, si ndikojnë bizneset në imponimin e një agjende editoriale”, thotë ajo në Absolut 4.
Sipas saj, problemi më i madh i gazetarisë që ka si ambicie investigimin mbetet mungesa e transparencës institucionale. “Fakto.al është një media që merret me verifikimin e fakteve në lidhje me deklaratat dhe premtimet, si dhe për verifikimin sesi përdoren taksat tona. Por transparenca është e munguar, të gjithë gazetarët që duan të investigojnë, po hasin me më shumë probleme tani sesa në të kaluarën, sepse mënyra e të menaxhuarit të zyrave të shtypit të institucioneve publike është “perfeksionuar”, dhe del vetëm çfarë duan ato të japin”, shpjegon Kapo.
“Format për të bërë intervista direkte me institucionet ose ekspertët e ndryshëm, është gjithmonë më e vështirë, me gazetarë që shkojnë në konferenca për shtyp të organizuara, me gazetar që nuk marrin përgjigje, me mesazhe të njëjta që shpërndahen në media të ndryshme” , shton gazetarja. (A2 Televizion)