
Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhet Tayip Erdogan, nga foltorja e Kuvendit, gjatë vizitës së tij në Tiranë, paralajmëroi se Shqipëria rrezikohet shumë nga organizata e FETO. Ai bëri thirrje që deri në vizitën e tij të ardhshme të ketë reagim nga autoritetet shqiptare ndaj anëtarëve të kësaj organizate, që ai e quan terroriste.
Për këtë deklaratë të Erdogan, Dritan Shano, i ftuar në Absolut 4, u shpreh se është skandaloze të japësh urdhra të tillë, aq më tepër në foltoren e Kuvendit.
Shano theksoi se liderët shqiptarë kanë preferuar eliminimin e proceseve politike dhe kush e ofron këtë nga të huajt është i preferuari i tyre.
"Nga Brukseli dhe BE na ofrohen hapa institucionalë. Liderët shqiptarë, që nga vitit 1995, kanë preferuar eliminimin e procesit politik, institucional. Çdo lider politik i huaj, i cili i gjendet Ramës për të eliminuar procesin politik, është i preferuari i tij.
Me Brukselin nuk i ka ecur magjia sepse ata duan institucione dhe këtu duan shqiptarët të shkojnë. Hallet tona janë të lidhur drejtpërdrejtë me aftësinë tonë për të krijuar institucionet. Kjo lloj marrëdhënie, që unë të zgjidh hallin ty pa një proces politik, e shoqëruar me urdhrin e dhënë nga Erdogan në Parlament, është skandaloze. Ne na tërheq Perëndimi dhe sytë i kemi andej. (A2 Televizion)