
Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në një intervistë për gazetaren e A2 CNN, Fjorela Beleshi, foli për zgjedhjet vendore të 14 majit dhe kandidatët e mundshëm me të cilët mazhoranca do të futet në garë edhe pse aktualisht drejton 60 nga 61 bashki të vendit.
Balla u shpreh se PS ka mbajtur dhe po mban sondazhe që do të nxjerrin edhe kandidatët e 14 majit. Ai theksoi se ky nuk është aspak një proces i ngjashëm me atë të primareve në Partinë Demokratike.
“150 ditë përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit, PS ka tashmë një procedurë të konsoliduar në shumë zgjedhjeve vendore që kemi zhvilluar. Ajo që unë do të thosha është risia e këtij procesi parazgjedhor. Është një proces sondazhesh me kompani që kanë dëshmuar më parë, jo vetëm cilësi dhe integritet. Këtë procedurë e kam parë të zhvillohet në shumë parti politike në Europë, por edhe në Amerikën e Veriut. Do të doja të bëja një dallim. Ndër vite, në PS është konsoliduar një aleancë me qytetarët. Ne do të garojmë në një aleancë me qytetarët e zakonshëm të këtij vendi. Ne duhet të marrim vlerësimin e tyre. PS qeveris sot në 60 nga 61 bashkitë e vendit. Kudo është bërë një punë e shkëlqyer. Sigurisht që ka bashki që kërkohet një rritje e shpejtësisë së punës.
Një pjesë e sondazheve janë bërë, në zona të tjera janë duke vazhduar, diku do të jetë e nevojshme t’i ribëjmë sepse nga procesi i konsultimit edhe brenda partisë, dalin propozime. Për këtë arsye, partia rimblidhet për të përcaktuar atë që është kandidati i PS.
Ka një risi që do të bëjë diferencën e madhe. Rama ka qenë i qartë në atë që ka kërkuar prej shumë kohësh. Pesha që kanë kuvendet vendore, këshillat bashkiakë. Këto kuvende duhet të marrin një peshë më të madhe. Jo vetëm në Fier, ku jam drejtues politik, këto kuvende do të jenë vendi ku do të diskutohen alternativat e mirëqeverisjes në atë njësi vendore. Në Fier po përzgjedhim shumë të rinj e të reja për të qenë pjesë e listës. Unë ftoj profesionistë të rinj që kanë dëshirë të shohin sesi administrohen të ardhurat e tyre. Natyrshëm, kuvendi vendor nuk është domaini ku do të vrapojnë drejtorët, por qytetarët. PS do të ketë shumicën në këto kuvende”.
Taulant Balla
A ngjan kjo me primaret e PD?
“Nuk shoh afërsi me primaret. Mu bënë kaq vite në politikë dhe PS procese të tilla ka zhvilluar. Kemi zhvilluar në vitin 2007 sipas parimit një anëtar një votë. Në vlerësimin tim, strategjia që kemi dakordësuar edhe në takimin e djeshëm me Ramën, është strategjia më e mirë që na ka rezultuar të paktën në 20 vitet e fundit. Nuk ka asnjë ngjashmëri. Procese që janë bërë qesharake, ku nuk ka munguar as dajaku dhe as dyfeku, nuk i bëjnë mirë jetës së një partie politike. Ajo është një parti drejt shkatërrimit, por unë nuk dua të hyjë aty.
Ajo që po bën PS janë kuvendet vendore, të cilat janë parlamentet në ato njësi. I bëj thirrje çdo qytetari që ka dëshirë të përfshihet në mirëadministrimit të qytetit të paraqesin në zyrat e PS interesin të përfshihen në listat e PS-së”.
Taulant Balla
Balla zbuloi se ka deputetë të PS që kanë shfaqur vullnetin për të garuar në zgjedhjet lokale të 14 majit, por nuk përmendi emra konkretë, edhe pse tha se ai është kundër një lëvizje të tillë. Më tej, Taulant Balla u shpreh i bindur se PS do t’i fitojë të gjitha bashkitë në zgjedhjet lokale në 14 maj.
“Nga ajo që ne shohim në sondazhe, PS i ka të gjithë mundësitë të fitojë në të gjitha bashkitë. Kandidatura jonë në Shkodër, aty ku nuk kemi qeverisur ndonjëherë në 32 vite, i ka të gjitha mundësitë për të fituar. Sondazhet tregojnë se PS është më lartë edhe se në 25 prill të vitit 2021”. (A2 Televizion)
Taulant Balla