
Policia e Tiranës ka njoftuar se ka finalizuar operacionin "Investimi", për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale.
“Vendosen sekuestro preventive ndaj pasurive të dy vëllezërve, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën e tregut rreth 3.700.000 euro”, lexohet në njoftimin e policisë, që sqaron se bëhet fjalë për vëllezërit Sh. H. (43 vjeç) dhe E. H. (42 vjeç), banues në Tiranë.
Shtetasi Sh. H. ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka kryer një vrasje para disa vitesh. Në vitin 2009 të dy vëllezërit Sh. H e E. H. dhe 4 shtetas të tjerë janë arrestuar nga Policia Gjyqësore Federale në Gent, Belgjikë, si pjesëtarë të një grupi kriminal, për veprat penale “Trafikimi i grave për prostitucion” dhe “Substancat narkotike".
Shtetasi E. H. ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka qenë i përfshirë në hetime nga Prokuroria e Gentit/Belgjikë në dosjen “GIRANA” të vitit 2008, për veprat penale “Trafikim i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Në këtë dosje shtetasi E. H. ka qenë i dyshuari kryesor dhe është arrestuar në Belgjikë, në datën 02.02.2009. Gjithashtu rezulton se nga viti 2002 deri në vitin 2009, ka qenë i burgosur në Belgjikë, për veprën penale “Trafikim dhe shfrytëzim i prostitucionit”.
Pasuritë e sekuestruara janë “4 apartamente në Tiranë, 2 apartamente në Sarandë, 1 ambient biznesi trekatësh në Laprakë; 1 njësi tregtare, 1 palestër, 7 garazhe dhe dy aktivitete biznesi në Tiranë; 4 automjete BMW X5 dhe llogari bankare në euro, dollarë dhe lekë dhe gjendjen aktuale në këto llogari në tri banka të nivelit të dytë. (A2 Televizion)