
"Ka mungesë të thellë transparence për platformën me të cilën qeveria shqiptare do të shkojë në Hagë për çështjen e detit me Greqinë". Kështu u shpreh ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, i ftuar në A2 CNN. Sipas tij, Shqipëria shkon në Hagë në pozita inferiore.
“Qeveria nuk ka bërë asnjë sqarim, nuk ka paraqitur asnjë platformë e ide në lidhje me këtë çështje. Shqipëria shkon në Hagë në pozita inferiore, nuk bën asnjë transparencë me platformën që do të shkojë në Hagë. Pozicionet e Shqipërisë në 2009 ishin më të favorshme se sot. Rama nuk bën transparencë. Në Hagë shkohet me një platformë të përbashkët nuk shkohet me duar në xhepa”.
Shehu bën përgjegjës kryeministrin Rama për marrëveshjen e detit më Greqinë të arritur në 2009 dhe që u rrëzua nga gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Sipas Shehut, Rama hodhi në erë këtë marrëveshje të favorshme për Shqipërinë, ku pasi bëri rolin e aventurierit u detyrua të bënte rolin e kapitullantit.
“Rama hodhi në erë marrëveshjen e 2009 që ishte më e përshtatshme dhe realizonte objektivat e të dyja vendeve dhe rajonit. Gjykata Kushtetuese e hodhi në erë se u bë një herezi politike me dirigjent rilindjen dhe e shtyrë nga forca të tjera jashtë Shqipërisë Ajo marrëveshje u shkatërrua qëllimisht. Për të prishur avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për të çuar në ngërçe mes dy vendeve. Rama ka dëmtuar dy mundësi të mëdha, hodhi në erë marrëveshjen më të favorshme për ne, hodhi në erë dhe kalimin në atë periudhë në Gjykatën e Hagës, i bazuar me distancat 6-12 dhe përmbushte pritshmëritë e të dyja vendeve tona dhe ishin zgjidhja më e mirë e mundshme. Sot, gjërat kanë ndryshuar. Rama pasi bëri rolin e aventurierit, i nxitur dhe nga forca të jashtme u detyrua të bënte rolin e kapitullantit”.
Duke e akuzuar Ramës edhe për prishjen e marrëdhënieve me Greqinë që kur erdhi në pushtet, Shehu tha se Partia Demokratike do të kërkojë transparencë për çështjen e detit, pasi nuk është pronë e kryeministrit dhe asnjë qeverie. (A2 Televizion)