
Pas dy muajve në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri një prezantim të punës së bërë, ku sfidat kryesore vijojnë të jenë sërish dy detyrat e reja që politika i la në Kodin Zgjedhor: vota e emigrantëve dhe identifikimi biometrik.
Madje, vota e emigrantëve duket më e vështira pasi përplasjet për këtë proces janë edhe me qeverinë. Ilirjan Celibashi hodhi poshtë skemën e prezantuar nga Pandeli Majko pak ditë më parë ku u shpreh se regjistrimi i adresës së banimit të diasporës nuk është kusht për gjenerimin e të drejtën së votës.
“Unë po jap kuptimin tim të ligjit lidhur me votën e emigrantëve. Nëse janë emigrantë, nuk mund të votojnë nëse nuk janë më vendbanim jashtë territorit dhe duhet të shprehin dëshirën”, deklaroi Celibashi.
Kundërshtia tjetër me Ministrin që ka si kompetencë diasporën ishte modeli që do të ndiqet kur për Celibashin ai Kosovar ka shfaqur problematika. Për Celibashin, “modeli i Kosovës ka pasur kundërshti dhe problematika, dhe nuk është modeli i duhur, në veçanti për sa i përket sigurisë”.
Pavarësisht, përplasjeve në qëndrime, KQZ duket se kërkon ende kohë për vënien në zbatim të votës së emigrantëve pasi ende nuk ka përcaktuar formulën se si do të kryhet ky proces.
Sfida e dytë e KQZ-së, është identifikimi biometrik në të gjithë territorin e vendit si edhe dy projektet pilot për votimin dhe numërimin elektronik, sfidë e cila mund të konsiderohet disi e kripur për financat shqiptare.
“Nuk do të jenë problem paratë në lidhje me implementimin e këtyre projekteve. Rreth 27 milionë euro kushton identifikimi biometrik dhe dy projektet pilotë si edhe rreth 10 milionë euro të tjera për administrimin e procesit. Paratë janë problemi i fundit” , deklaroi ai.
Këto ishin dy sfidat e reja ndërsa ajo e trashëguar që nga vitit 2015 është verifikimi i kandidatëve në kuadër të dekriminalizimit për të cilat vetë Celibashi kishte një apel për individët e inkriminuar që kërkojnë karrierë në politikë.
“Ata që kanë ndonjë cen të mos i hyjnë kësaj rruge. Nëse do të isha në vendin e tyre nuk do ta merrja këtë iniciativë”, vijoi kreu i KQZ-së.
Kreu i KQZ-së u pyet edhe për vendimin më të fundit për kufizimin e aktiviteteve qeveritare në kuadër të programit të rindërtimit ku mesa duket, dakordësia e gjetur ndërmjet mazhorancës dhe opozitës ka pësuar disa ndryshime nga trumbetimi fillestar. Tashmë, qeveria nuk mund të promovojë investime të reja e jo ato që kanë nisur siç është edhe programi i rindërtimit nga tërmeti. (A2 Televizion)