
Ekonomia është dështimi më madh i Edi Ramës në 7 vite. Është ky përfundimi që nxori kreu demokrat, Lulzim Basha, gjatë takimit me studentët e Ekonomikut. Sipas Bashës, studentët u përjashtuan nga çdo lehtësi gjatë këtij viti, ku krizës ekonomike iu shtua edhe pandemia.
“Ata vazhdojnë të paguajnë të njëjtat tarifa, të cilave u shtohen edhe kostot e mësimit online. Rritja e papunësisë, mbyllja e qindra bizneseve dhe rënia e fuqisë blerëse kanë goditur shumicën e familjeve shqiptare të cilat patën ndihmën më të vogël në rajon dhe në Europë nga qeveria e tyre”.
Për Bashën, paratë e shqiptarëve në vend që të shkonin për të ndihmuar të rinjtë dhe familjet e tyre, u shpërndanë te miqtë dhe klientët e qeverisë përmes koncesioneve e PPP-ve korruptive. Ai akuzoi Ramën se në 7 vjet nuk mbajti asnjë premtim.
“Në 7 vjet, Edi Rama nuk mbajti asnjë premtim, rriti taksat, rriti çmimin e energjisë, rriti tarifat e studimit, nuk hapi 300 mijë vende pune, por detyroi afro 500 mijë shqiptarë të emigrojnë. Edi Rama renditi Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara sepse gjithë pasuritë dhe paratë e shqiptarëve i ndau për klientët e tij. Prandaj vuajnë shqiptarët sot, prandaj të rinjtë e kanë mendjen të largohen nga vendi”.
Kreu opozitar thotë se është koha për ta ndryshuar këtë gjendje, ndërsa përmend prioritetet e qeverisë së tij kur të vijë në pushtet, ku fokus të veçantë do të kenë bizneset, ligji antimafia që do kalojë në sitë kontratat koncensionare dhe ligji për arsimin e tarifat e studimit.
“Ne do të vendosim taksën e sheshtë 9%, për të thithur investitorë të huaj që hapin vende pune dhe për t’i dhënë mundësi biznesit të punojë dhe të gjenerojë të ardhura për të rritur pagat e punonjësve. Ne do të mbështesim dhe stimulojmë sipërmarrjet e të rinjve dhe bizneseve që punësojnë të rinj. Përmes ligji tonë antimafia ne do të kalojmë në sitë të gjitha kontratat koncesionare dhe PPP-të. Synimi i ligjit antimafia është që këta njerëz që janë të përfshirë në kontrata korruptive, nuk do të mund të gëzojnë të ardhurat e përfituara padrejtësisht dhe këto të ardhura do të rikuperohen dhe do t’u kthehen qytetarëve.
Me të mbulojmë 100% tarifat e studimit të studentëve nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj dhe 50% tarifat e atyre me të ardhura mbi 640 mijë lekë. Ne do ta anulojmë ligjin korruptiv për arsimin e lartë dhe do të rikthejmë autonominë e universiteteve”, thekson Basha. (A2 Televizion)