
Largimi i të rinjve shqiptarë nga mësimdhënia, po jep efektet e para në sistemin arsimor. “Në arsimin fillor, ka më shumë vende të lira pune sesa kandidatë”, thotë Sulejman Keta, përgjegjës i ZVA.
Po pse kjo mungesë është më e theksuar në sistemin parashkollor? “Mësuesit e arsimit fillor, kanë një kontingjent më të madh të datëlindjes që arrin pensionin”, shton ai. Vetëm këtë vit akademik, në institucionet e arsimit të lartë në vend, janë mbyllur 46 programe studimi në mësuesi.
“Tregon që dega e mësuesisë, nuk është më e privilegjuar dhe e përzgjedhur, por është në një situatë alarmante, dhe tregon që përballemi me një realitet që duhet ta shohim në sy”, thotë Nora Malaj.
Po si mund të korrigjohet ky kurs negativ i cili, sipas njohësve të fushës, do të sjellë pasoja të rënda dhe afatgjata për vendin? “Të japim bursa të dedikuara, paketa për të zhvilluar arsimin, duhet një qasje e re për t’i dhënë mësuesit statusin që meriton”, shton Malaj.
Përfaqësues nga sistemi arsimor në vend kanë ngritur alarmin se në disa universitete, për shkak të numrit të ulët të studentëve rrezikohet seriozisht të mbyllen disa programe në mësuesi. (A2 Televizion)