
Dashamir Çela rrit 40 krerë lopë e viça. Ndonëse dëshira e tij është ta shtojë fermën, e ka të pamundur me ndihmën që i ofron aktualisht shteti. Blegtoria subvencionohet vetëm me 10 mijë lekë për krerë lopë dhe 1200 lekë për të imtat, por në bazë të një limiti të caktuar për numrin e tyre.
Të nevojshme blegtorët shohin rikthimin e skemës për subvencion për litër qumësht: “Prodhoj 130 tonë qumësht në vit. Me skemën e 10 lekë për litër ishim mirë sepse ne tentonim të rriteshim për të prodhuar më shumë”.
Jetëgjatësinë në blegtori, Dashamiri e sheh të shkurtër, pasi edhe baxhot janë në vështirësi dhe tregu vendas po kërcënohet nga importi i produkteve të paketuara nga rajoni: “Nëse jemi ne në vështirësi, janë edhe baxhot, pasi dhe me qumësht nga Serbia nuk operojnë dot. Madje, së shpejti Serbia do të ndalojë edhe importin e qumështit për baxhot, pasi mund ta sjellë të paketuar gati në tregun tonë dhe baxhot nuk bëjnë dot as punën e tyre si fasoneri”.
Nevojën e subvencionimit dhe nxitjes së blegtorëve për të rritur tufat e ka shprehur edhe Industria e Përpunimit të Qumështit. Ata i janë drejtuar qeverisë me një letër zyrtare, ku parashtrojnë dy pika emergjente. Përfaqësuesi Donjaldo Hoxha shprehet: “Pika e parë 10 lekë për litër, pasi nxitet formalizimi i fermerit dhe pika e dytë ulja e TVSH-së në shitje nga 20% në 6%. Rajoni e ka nga 5 deri në 8%. Po falimentuan blegtorët, falimentojmë dhe ne”.
Në vitin 2020, Shqipëria kishte gati 13% më pak gjedhë se në vitin 2019. Blegtorët kanë nisur të reduktojnë tufëzat, pasi propozimet e tyre për të pasur një nga skemat që operojnë sot vendet e rajonit, nuk u pranua nga Ministria e Bujqësisë. (A2 Televizion)