Të harruar nga shteti, drama e çiftit të moshuar në Peqin

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2022, 12:30 | Sociale
Të harruar nga shteti, drama e çiftit të moshuar në Peqin

Nën mëshirën e fatit dhe harresën e shtetit, mund të përshkruhet gjendja në të cilën ndodhet çifti i të moshuarve Fejzullahu, nga qyteti i Peqinit.

Me bashkëshorten, prej vitesh të paralizuar në shtrat, Ferdinandi 61-vjeçar përpiqet t’i shërbejë gruas, të sigurojë dhe të gatuajë ushqimin, por edhe të merret me burokracitë e shtetit, i cili në mënyrë paradoksale, i ka hequr KEMP-in dhe nuk ia jep kësaj gruaje, gjendja e së cilës nuk ka nevojë për koment dhe aq më pak për ndonjë verifikim.

Me vetëm 6300 lekë në muaj, përkrahje sociale, Ferdinandi tregon kalvarin e përpjekjeve për të marrë KEMP-in e bashkëshortes, dyerve të spitaleve dhe institucioneve, sa në Tiranë, Elbasan dhe Peqin. Ai tregon se i ka shkruar edhe vetë ministres së Shëndetësisë, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndërsa shpreson që apelin ta dëgjojë edhe kryeministri i vendit.

Edhe pse në shtrat dhe me vështirësi të mëdha në të folur, Suzana e paralizuar e gjen forcën që të bëjë edhe ajo apelin e saj: “Kur të vdes, do ma japin KEMP-in?”.

Të ndihmuar sadopak nga njerëzit e thjeshtë dhe shoqatat, ky çift ka nevojë për dorën e shtetit, i cili më shumë se kudo, duhet të jetë pranë këtij çifti, të cilit fati i rezervoi këto vuajtje në pleqëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos