
Në intervistën e tij në A2 CNN, ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj flet edhe për bujqësinë, një sektor që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me domosdoshmërinë e rritjes së dijes në këtë sektor.
“Mendoj se zhvillimi i bujqësisë në çdo vend është sfidë, në çdo vend të ri që është futur në BE. Mbani mend presionin që i bënte Polonia BE-së, e bënte edhe me fermerët polakë. Zhvillimi i bujqësisë është sfidë sepse do të thotë konkurrencë”.
Po si është situata në Shqipëri, a është bujqësia një sektor tjetër i keq menaxhuar, dhe ka strategji të mirëfilltë?
“Në të vërtetë kemi skema, por janë të pamjaftueshme, nuk shkojnë në qasjen e duhur. Dëgjoj të thuhet se do të punojmë për eksportet. Por jemi i vetmi vend në Europë ku bujqësia zë vendin e parë në GDP, me 20-21%, kjo do të ulet se kështu ka ndodhur në çdo vend. Në qoftë se do të vazhdojmë me këto politika, mund të na mbeten tokat djerrë”. Profesori e shtjellon ketë hipotezë.
“Kemi Open Ballkan, por a mund të konkurrojmë me bujqësinë serbe?” Ata janë shumë më të avancuar se ne. Nuk është se duhen politika proteksioniste por duhen patjetër politika mbështetëse”, thotë ai, që jep edhe shembuj konkretë. “Po e fokusuam bujqësinë vetëm në bimët medicinale, gjithë tokat do të mbeten djerrë, nuk do të shfrytëzohen dhe do të mbeten vetëm serra. Po serra ka edhe Greqia, mund të bëj edhe Gjermania, avantazhi jonë është te klima jo te serrat”.
Sipas tij, çelësi qëndron diku tjetër. “Nuk mund të jemi konkurrentë pa rritje të produktivitetit. Duhet të investojmë në dije dhe teknologji. Shoh skemat e financimit, por ti duhet të mbështetësh fermerin që të prodhojnë ushqimet në fermë, që mos t’i blejë në Serbi, deri tek bari i thatë. Ne kemi mundësi që të gjitha produktet blegtorale t’i prodhojmë në Shqipëri, pa lëndë të parë të importuar. Importojmë 1 miliard dollarë impute bujqësore”.
Zhvillimi i dijes, nuk është gjithsesi e lehtë, edhe pse vendi ka potencial. “Studentët që vijnë nga zonat bujqësore nuk vijnë dot në Tiranë, një student nga Dibra do të shpenzonte 5 milionë lekë në vit për të studiuar aty. U bë një studim ku doli kosto 428 euro në muaj për studentët në Tiranë. U habita, dhe po komunikoja me disa kolegë gjermanë që thanë , po ku studiojnë këto, me 200 euro më shumë studion në Berlin”. (A2 Televizion)