
Vijon protesta e banorëve të “5 Majit”, të cilët janë kundër vendimit të qeverisë për prishjen e banesave të tyre.
Para Parlamentit, ata janë grumbulluar sërish, ku nuk mungonin edhe fëmijët, të cilët me pankarta në duar iu drejtuan djalit të vogël të kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar që t’i thotë babait që të mos ia prishte banesat.
Ndërkohë, prindërit e tyre kanë përsëritur kërkesën për transparencë dhe dëmshpërblim për banesat që janë prishur tashmë.
“Ne nuk kemi zënë toka. Nuk i ka zënë nënë Liza, nuk e kam zënë unë. Nuk ka shqiptar që ka zënë tokë. Shqiptarëve, toka historikisht, u është marrë dhe ju po veproni si serbët e grekët. Ne nuk do ta lëmë me kaq. Nuk jemi juristë, por e vërteta del në fund”, tha njëri prej protestuesve në fjalën e tij.
Më pas, banorët u drejtuan për në Ambasadën Amerikane. (A2 Televizion)