
Myqerem Tafaj, ish-ministër i Arsimit, në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, komentoi situatën e arsimit në vend, duke theksuar se pavarësisht se nuk jemi vend i pasur, “nuk mund të jemi kaq të varfër sa që 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, të mos kemi akoma shkolla me kushte normale”.
“Pas vitit ’90, njerëzit migruan brenda për brenda vendit, erdhë në Tiranë nga jugu dhe veriu, vetëm e vetëm për të shkolluar fëmijët më mirë. Shqipëria është një nga vendet ku njerëzit besojnë më shumë se karriera e fëmijëve të tyre varet nga shkollimi. Por, ky migrim i brendshëm zbrazi zona të tëra të vendit, ikën mësuesit më të mirë. Tani duhen investime reale për këto fshatra. E para, banorët e zonave rurale duhet të besojnë që në ato zona mund të jetohet. Nëse ata qëndrojnë atje, shteti duhet të investojë me një strategji më prioritare sesa në qytete. Kjo përfshin mësuesit, kushtet e shkollave, pastaj janë tekstet, duhen mjete për fëmijët që të përdorin internetin. Por, ky hendek është në të gjithë fushën e arsimit, jo vetëm në atë parauniversitar”, deklaroi Tafaj.
Ai shtoi se politika duhet të kishte bërë më shumë, pavarësisht se nuk jemi vend i pasur.
“Ne nuk kemi bërë aq sa duhet për këtë vend. Është e vërtetë që Shqipëria nuk është vend i pasur, kjo është shumë e vërtetë. Por, Shqipëria nuk mund të jetë kaq e varfër sa që 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, të mos ketë akoma shkolla me kushte normale. Të paktën, çdo shkollë në fshat të ketë kushtet që ka një shtëpi mesatare e atij fshati. Ne këtë nuk e kemi, përtej propagandës. UNESCO ka bërë raport në vitin 2020 dhe thotë se 90% e shkollave në Shqipëri nuk kanë sistem funksional ngrohjeje. Më pas, janë edhe kushtet elementare të higjienës. E thënë shkurt, shkollat tona nuk i kemi sjellë në një nivel normal ku të mësojnë nxënësit. Këto janë kushtet bazike, pa shkuar te kabinetet dhe laboratorët. Nuk do të jetë laborator për shkencë, por minimal, që nxënësit të fitojnë dijet elementare”, u shpreh Tafaj.
Sa i përket arsimit të lartë, Tafaj u shpreh: “Studentëve u duhet shpjeguar se çfarë është dega që ka zgjedhur për të studiuar, cilat janë shanset për të punuar brenda apo jashtë vendit me atë degë. Studentët nuk e zgjedhin mësuesinë sepse e dinë pagën që do të marrin dhe çfarë mund të bëjnë me të. Pastaj, databaza e pagave është shumë demotivuese, sepse studentët tani e dinë që një shofer paguhet dy herë më shumë sesa një profesor”. (A2 Televizion)