Ndërkohë që në Kuvend po votohet shkarkimi i Presidentit Ilir Meta, në Presidencë po organizohet një aktivitet me Ansamblin Folklorik të Dibrës “Haziz Ndreu”.
“Jam shumë i lumtur, që në këtë ditë kaq të bukur pranvere, të mikpres në Institucionin e Presidentit të Republikës, Ansamblin Folklorik të Dibrës “Haziz Ndreu”, që me aq përkushtim u transmeton brezave, traditat folklorike të një treve të shquar atdhetare. Dibranët janë shembull frymëzues i pasionit për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare”, shkroi Meta në rrjetet sociale.
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot për të votuar draftin e mazhorancës, ku kërkohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta. Për ta finalizuar këtë nismë, e dyta që socialistët ndërmarrin, do të duhen 94 vota.
Kryetari i Komisionit Hetimor të ngritur për hetimin e atyre që shumica quan “shkelje të rënda kushtetuese” të presidenti, Alket Hyseni, tha se Meta ka prishur qetësinë publike dhe ka nxitur urrejtjen dhe dhunën, si dhe ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët.
Nga ana tjetër, presidenti ka deklaruar se nuk do ta njohë vendimin. Gjithsesi, fjalën e fundit në këtë proces do ta ketë Gjykata Kushtetuese, e cila do të miratojë, ose jo, vendimin e Kuvendit, në rast se Kuvendi do të votojë “pro” shkarkimit të presidentit. (A2 Televizion)