Presidenti Meta ka nisur sot vizitën dy ditore në Kroaci, duke u pritur nga Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarović.
“Pas ceremonisë zyrtare së mirëseardhjes, Presidenti Meta zhvilloi një takim të ngrohtë dhe të përzemërt me Presidenten Grabar-Kitarović dhe më tej, kryesuan bisedimet zyrtare mes delegacioneve respektive. Në përfundim të takimeve zyrtare Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp”, bën të ditur Presidenca.
Në fjalën e tij, Meta u shpreh se Shqipëria është e lumtur që Kroacia do të marrë Presidencën e radhës të BE. Ai theksoi se vendi do të trefishojë përpjekjet për një vendim pozitiv për negociatat sa më shpejt.
“E vlerësojmë shumë nismën kroate në bashkëpunim edhe me disa vende të tjera, si Bullgarinë, Rumaninë edhe Greqinë për të ndërtuar konsensusin e duhur brenda këtij Unioni. Megjithatë, ne jemi të vendosur, bashkërisht edhe me Maqedoninë e Veriut, se do të dyfishojmë e trefishojmë përpjekjet tona në javët që vijnë, në muajt që vijnë, në mënyrë që të kemi mundësi për një vendim pozitiv së afërmi. Në këtë drejtim jemi të lumtur që Kroacia do të marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe jemi shumë të kënaqur për pozicionin mjaft të qartë të Kroacisë, që anëtarësimi i vendeve tona të Ballkanit Perëndimor në BE është e vetmja alternativë dhe e pazëvendësueshme nga çdo lloj opsioni tjetër”, tha Meta. (A2 Televizion)