
Presidenti Ilir Meta ka takuar sot në Tiranë ambasadorin e Ukrainës Volodymyr Shkurov, ku u diskutua situata e tensionuar në atë vend dhe perspektivat e një konflikti të hapur me Rusinë.
“Ndamë shqetësimin e përbashkët për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës mike, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare. U informova nga Ambasadori dhe përgëzova për përpjekjet e vendit të tij për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet nëpërmjet negociatave dhe në rrugë paqësore, përfshi në kuadër të formateve shumëpalëshe ekzistuese”, ishin fjalët e presidentit shqiptar të shpërndara në një postim në profilin e tij.
Meta siguroi ambasadorin se “Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”.
Disa ditë më parë, Kremlini i kishte dërguar kancelarive perëndimore, ndër të cilave edhe Tiranës zyrtare, një letër ku ndër të tjerat i kërkonte atyre të mbanin një qëndrim mbi statusin e NATO-s, që sipas rusëve po tejkalon karakteristikat e saj mbrojtëse në konfliktin me Ukrainën, si dhe në operacionet e fundit ushtarake në Europën Lindore, që Kremlini sheh si një kërcënim të drejtpërdrejtë. (A2 Televizion)