
Mick Schumacher do të garojë në Formula 1 edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Skuadra Haas e konfirmoi djalin e legjendës Michael edhe për vitin 2022. Në këtë mënyrë, piloti i ri gjerman “do të vijojë rritjen në kategorinë më të rëndësishme të garave me makina, me skuderinë ku debutoi”. Për krahtij në ekipin amerikan do të qëndrojë edhe rusi Nikita Mazepin.
“Të jem një prej njëzetë pilotëve që garojnë në Formula 1 do të thotë të jetoj ëndrrën. Deri më tani, sezoni i parë me Haas ishte tejet emocionues dhe kam mësuar shumë. Jam i sigurt se gjithçka do të më shërbejë për vitin 2022, kur do të hyjnë në fuqi edhe rregullat e reja. Duke vlerësuar ambiciet e ekipit Haas dhe mbështetjen nga Ferrari, kam besim se do ti afrohemi rivalëve dhe do të konkurrojmë për zonën e pikëve”, tha Mick Schumacher.
Rinovimi i kontratës për Schumacher Jr. erdhi pasi skuadra është e kënaqur me cilësitë dhe vlerat që 22-vjeçari ka shfaqur në pistë. Sipas drejtorit të garave të Ferrarit, Laurent Mekies, piloti i ri ka shpejtësi, vendosmëri dhe dëshirë për të mësuar. Megjithë vlerësimet e larta, Mick nuk ka arritur të grumbullojë asnjë pikë pas 14 garave të zhvilluara në këtë edicion. (A2 Televizion)