
Milan pranon dështimin e Super Ligës, por këmbëngul se futbolli ka nevojë për evolucion. Në një komunikatë zyrtare, klubi italian shkruan se “ndryshimi nuk është i lehtë, por evolucioni është i nevojshëm, në mënyrë që futbolli të ecë përpara”.
“Pranuam ftesën për të marrë pjesë në projektin e Super Ligës me qëllimin për të krijuar kompeticionin më të mirë të mundshëm në Evropë për tifozët në të gjithë botën, për interesat e klubit dhe tifozëve tanë. Ndryshimi nuk është i lehtë, por evolucioni është i nevojshëm për të ecur përpara. Edhe struktura e futbollit evropian ka evoluar përgjatë viteve. Por, zëri dhe shqetësimi i tifozëve nëpër botë në lidhje me Super Ligën ka qenë i fortë dhe klubi jonë duhet të dëgjojë mendimin e atyre që e duan këtë sport. Gjithsesi, do të vijojmë të angazhohemi për të stiluar një model të qëndrueshëm për botën e futbollit”, lexohet në komunikatën zyrtare të Milanit.
Për momentin, vetëm Barcelona dhe Real Madrid nuk kanë zyrtarizuar tërheqjen nga Super Liga. (A2 Televizion)