Pas protestave të tifozëve, por edhe të lojtarëve, skuadrat angleze zyrtarizuan “Brexit” nga Super Liga e Europës, një projekt ambicioz për zhvillimin e një turneu me klubet më elitarë të kontinentit, por që ngjalli pakënaqësi të mëdha.
Drejtuesi i Manchester United, Ed Woodward, dha dorëheqjen nga posti i tij si zëvendëspresident ekzekutiv, ndërsa pronari i Liverpool, John Henry, u kërkoi falje lojtarëve dhe tifozëve “për shqetësimin e krijuar”.
Protestat më të zëshme ishin të tifozëve të Chelsea-t, të cilët bllokuan një ditë më parë hyrjen e skuadrës së tyre për në stadium, para ndeshjes kundër Brighton, të vlefshme për kampionatin anglez. U desh që ish-portieri dhe drejtuesi i skuadrës, Petr Cech, të zbriste nga autobusi dhe t’u lutej tifozëve të hapnin rrugën që skuadra të futej në “Stamford Bridge”.
“Do ta zgjidhim këtë punë, por duhet të lini autobusin të futet”, dëgjohet t’u thotë Chech tifozëve të inatosur.
Gjatë natës së kaluar, të gjashta skuadrat angleze që kishin firmosur krijimin e Super Ligës së Europës, Manchester City, Chelsea, Manchester United, Liverpool, Arsenal dhe Tottenham, u tërhoqën nga projekti.
Ndërkohë, sipas mediave spanjolle, Atletico Madrid gjithashtu do të tërhiqet, ndërsa Barcelona ia ka lënë në dorë vendimin ortakëve të saj. Nëse gjithçka konfirmohet, atëherë në formatin e ri mbeten vetëm Real Madrid, dhe 3 skuadrat italiane, Juventus, Milan dhe Inter.
Kompeticioni i ri i shpallur të dielën në mbrëmje u kritikua gjerësisht, ndërsa klubet nismëtare u kërcënuan nga UEFA dhe FIFA. Ndërsa, tani duket se projekti ka “vdekur”, sapo “lindi”. (A2 Televizion)