Milani i “vakët” pa Zlatan, vetëm barazim ndaj Lille në Europa League

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2020, 20:50 | Futboll
Milani i “vakët” pa Zlatan, vetëm barazim ndaj Lille

Milani nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në transfertë ndaj Lille-s, në ndeshjen e vlefshme për grupet e Europa League.

Kuqezinjtë e kishin humbur 0-3 takimin e parë me skuadrën franceze në San Siro, ndërsa në këtë ndeshje vinin me disa mungesa të rëndësishme, ku më kryesori ishte Ibrahimovic, për shkak të një dëmtimi në fundjavë.

Në pjesën e parë, loja u përqendrua më shumë në mesin e fushës, me dy skuadrat që mundoheshin më shumë të mos gabonin sesa të rrezikonin kundërshtarin. Ndërkohë, pjesa e dytë nisi menjëherë me gol për kuqezinjtë. Castillejo realizoi pas një asisti të dhënë nga Rebic, i cili e nisi ndeshjen si sulmues i vetëm, por më pas u zëvendësua nga i riu Collombo.

Megjithatë, avantazhi i italianëve zgjati pak, pasi Lille reagoi me anë të Bamba që e vulosi rezultatin në 1-1 në minutën e 65.

Me këtë barazim, kualifikimi për në fazën e ardhshme në këtë grup do të vendoset në dy ndeshjet e fundit. Aktualisht, Lille kryeson me 8 pikë, Milan 7 dhe Sparta e Pragës me 6 pikë, e cila fitoi 4-1 ndaj Celtic. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos