Ministrat e Jashtëm të BE: Të përshpejtohet integrimi, Rusia ka hedhur sytë nga Ballkani

Nga A2 CNN
6 Prill 2022, 16:19 | Bota
Ministrat e Jashtëm të BE: Të përshpejtohet integrimi, Rusia

Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë kërkuan debat urgjent për Ballkanin Perëndimor, mes shqetësimeve për ndikimin e luftës në Ukrainë në këtë rajon. Në një letër drejtuar shefit të diplomacisë, Josep Borrel, shtetet e BE-së e cilësojnë rajonin si me rëndësi të veçantë, dhe kërkojnë që strategjia për Ballkanin Perëndimor të futet në rend dite në Komisionin për çështje të jashtme gjatë prillit. Kryediplomatët e 5 shteteve bëjnë thirrje për t’i dhënë shtysë procesit të integrimit.

“BE-ja duhet të bëjë gjithçka që të parandalojë efektet dëmtuese të sulmit ndaj Ukrainës në Ballkanin Perëndimor. Për këtë është edhe më urgjente se kurrë më parë që t’i japim një shtytje procesit të integrimit të rajonit në BE”.

Konkretisht, ministrat kërkuan që të përshpejtohet nisja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, dhënia e statusit të vendit kandidat Bosnjë e Hercegovinës dhe përshpejtimi i procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.

“Duhet të kemi një pikëpamje të re ndaj çështjeve të tilla si nisja e shpejtë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, anëtarësimi i Malit të Zi dhe Serbisë, avancimi me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe mbështetja e unitetit të Bosnjë e Hercegovinës për marrjen  e statusit kandidat”.

Sakaq, gjatë një konference donatorësh të organizuar në Berlin për të ndihmuar Moldavinë, një vend i vogël me vetëm 2,6 milionë banorë, që ka pritur deri tani 370 000 refugjatë Ukrainës, ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, paralajmëroi se Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina, por nga Ballkani Perëndimor, kaukazi jugor dhe Republika e Moldavisë Schallenberg kërkoi që BE-ja të çelë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos