Miratohen tekstet me përdorim falas në shkollë, Kushi: Heq një barrë për familjet, edukon nxënësit

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2022, 12:56 | Kronikë
Miratohen tekstet me përdorim falas në shkollë, Kushi: Heq

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi prezantoi dy vendime të marra në mbledhjen e qeverisë, ku  e para përfshin sistemin parauniversitar, dhe e dyta sportin në vend.

Sipas ministres, qeveria synon një sistem arsimor gjithëpërfshirës dhe në përmbushje të këtij vizioni është arritur “përfundimi i teksteve shkollore në përdorim falas, për të gjithë nxënësit nga klasat e para deri te e nënta, si dhe 16 kategori në arsimin e mesëm”.

Për Kushin “qëllim është lehtësimi i barrës financiare për familjet. Nënkupton faktin që nxënësit pasi i përdorin tekstet, detyrohen t’i dorëzojnë për nxënësit e tjerë pas një periudhe tre vjeçare, ndërkohë që tekstet e vjetra zëvendësohen me të reja”.

Ministrja deklaroi se përjashtim do të ketë për nxënësit nga klasa e para në të tretë, ku tekstet do të ofrohen falas çdo vit, pa nevojë që t’i kthejnë, sepse janë të vegjël për ta mirëmbajtur por edhe sepse programet e tyre parashikojnë shënime dhe ushtrime të vështira për t’ u fshirë.

“Kjo bëhet edhe për t’i edukuar, për ta pasur mik librin por edhe për të kursyer”, ishin fjalët e ministres Kushi.  

Vendimi tjetër ka të bëj me sportin. “Kemi kërkuar një buxhet shtese për sportistët elitar këtë vit sportistët tanë kanë patur rezultat e shkëlqyera, krahas viteve të mëparshme. Këto rezultate kanë tejkaluar edhe pritshmëritë tona, kështu qe kishte nevoje për një shtesë të tillë, për atletet por dhe për trajnerët e tyre, ashtu siç e parashikon edhe legjislacioni europian", deklaroi ministrja Kushi, ndërkohë që shtimi i buxhetit përllogaritet në 45 milionë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos