Vrasja e kryekomisarit, Gjykata e Lartë "vulos" vendimin që ktheu në burg Genc Tafilin

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2022, 17:28 | Kronikë
Vrasja e kryekomisarit, Gjykata e Lartë "vulos" vendimin që

Gjykata e Lartë ka konfirmuar vendimin gjyqësor që urdhëroi kthimin në qeli të Genc Tafilit, të shpallurit fajtor për vrasjen e kryekomisarit Arben Zylyftari në vitin 2000 në Shkodër.

Tafili shijoi lirinë para përfundimit të dënimit me 25 vjet burg për vrasjen e zyrtarit të lartë të policisë, pasi u lirua me kusht nga gjykata e Krujës, verdikt që u rrëzua nga Apeli i Tiranës në 17 maj 2021.

Ai e kundërshtoi në Gjykatën e Lartë vendimin që e rikthente në burg, por një Kolegj Penal vendosi të lërë të në fuqi vendimin e Apelit.

I dënuari Genc Tafili shijoi lirinë kur kishte kryer vetëm 17 vite nga dënimi i marrë. Ai u lirua me kusht në vitin 2017 përmes një vendimi të firmosur nga ish-gjyqtarja Enkeleida Hoxha, e njëjta që u dënua për “korrupsion” në vitin 2022 nga Gjykata e Posaçme për lirimet e parakohshme abuzive.

Vendimi i Apelit, që rikthente në qeli Tafilin, e gjeti atë jashtë vendit. Në zbatim të këtij urdhri gjyqësor, ai u arrestua në Gjermani në dhjetor të vitit 2021 në aeroportin e Frankfurtit, 8 muaj pasi u shpall në kërkim, teksa po tentonte të udhëtonte drejt Stambollit. Tafili u ekstradua në Shqipëri 5 muaj më vonë, për të vijuar pjesën e mbetur të dënimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos