
Pa Ronaldon, por me Dybala, Morata dhe më pas Kulusevski dhe prapë Juventus dështon në ndeshjen e radhës, përballë modestëve të Beneventos, të ngjitur së fundmi në Serie A.
Bardhezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 në ndeshje që konsiderohej e lehtë në letër, por që në fakt nuk rezultoi e tillë.
Ekipi i Pirlos kaloi i pari në avantazh në minutën e 21 të takimit me Moratan, por vendasit barazuan me një gol fotokopje me të parin në të 45-ën nga Letizia.
Miqtë provuan gjithçka që të dilnin me 3 pikë në këtë ndeshje, por mungesa e portugezit Ronaldo u ndje shumë dhe Dybala duket se nuk mundet ta mbushë këtë boshllëk.
Tashmë pas 9 javësh kampionat, Juventus renditet në vendin e 5 me 17 pikë të grumbulluara. (A2 Televizion)