
Përfundon në Napoli ecuria e 11 fitoreve radhazi të Interit, por barazimi kundër ekipit të Gennaro Gattusos nuk mund të quhet aspak një hap pas në rrugëtimin drejt titullit në Serie A.
Rezultati 1-1- nuk tregon plotësisht një ndeshje ku zikaltrit dhe napoletanët luajtën një lojë të hapur ku nuk munguan rastet nga të dyja palët. Pjesa e parë flet më shumë për Interin, me raste të shpërdoruara nga Lukaku, edhe pse goli vjen për napoletanët, ku një kros i Insigne shndërrohet në një gafe kolosale të Handanovic dhe veçanërisht De Vrij, që shtyn portierin e tij duke rrotulluar topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, insistimi i Interit konkretizohet me golin e bukur të Christian Ericksen, titullar dhe gjithmonë më i domosdoshëm për trajnerin Antonio Conte.
Barazimi mban Interin gjithsesi në një distancë sigurie prej 9 pikësh nga Milani dhe 11 nga Atalanta, ndërkohë që rivalët e Juventusit braktisin çdo ëndërr, larg 13 pikë, dhe duhet të luajnë për një vend në Champions pikërisht me Napolin që ka vetëm dy pikë më pak. (A2 Televizion)