Ndërpriten reshjet, Shkodra zona më e prekur nga përmbytjet, problem rrëshqitjet e dherave në disa akse

Nga A2 CNN
12 Janar 2021, 10:22 | Aktualitet
Ndërpriten reshjet, Shkodra zona më e prekur nga përmbytjet,

Ashtu edhe siç pritej, me ndalimin e reshjeve të shiut, është përmirësuar ndjeshëm situata me përmbytjet në të gjitha qarqet e vendit.

Sipërfaqja e zonave të përmbytura është ulur ndjeshëm, megjithëse vihen re problematika të vogla në disa akse rrugore për shkak të rrëshqitjes së dherave.

Qarku më i prekur vijon të jetë Shkodra, ku aktualisht, sipas raportimeve nga bashkia, sipërfaqja nën ujë është rreth 1903 ha.

Rruga e Obotit prej ditësh vijon të jetë e bllokuar, ndërkohë që jashtë funksionit është dhe ujësjellësi Oblika 1. Në këto zona ka nisur shpërndarja e ndihmave dhe furnizimi me ujë i banorëve të izoluar.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat. Gjithashtu, vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit.

Ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.

Në qarkun e Kukësit, po ashtu janë ndërprerë reshjet. Pothuajse të gjitha akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme.

Probleme ka në aksin Kukës-Krumë, ku firma kontraktore po vijon me pastrimin e inerteve dhe zhbllokimin e tombinove. Gjithashtu, ka shembje dhe në aksin rrugor, Dushaj-Lekbibaj.

Furnizimi me energji elektrike në përgjithësi është normal në të gjithë qarkun Kukës përveç njësisë administative Bushtricë, Grykë-Çajë, Ujmisht,  Shishtavec, Topojan, Zapod të bashkisë Kukës dhe fshatrat Dragobi e  Valbonës, njësia administrative Margegaj, bashkia Tropjë.

Në qarkun e Elbasanit ka pasur probleme vetëm në dy akse rrugore; në atë Elbasan-Qafë Thanë në Pishkash dhe aksin Elbasan-Gjinar në Derstile. Në këto dy akse kanë shkuar kompanitë kontraktore dhe po punojnë për pastrimin e karrexhatës.

Lumenjtë ditën e sotme kanë pasur prurje më të vogël se ditën e djeshme, pra nën nivelin mesatar, por gjithsesi janë nën monitorim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos