Ndërron jetë Brian Dennehy, një jetë në rolin e të “ligut”

Nga A2 CNN
17 Prill 2020, 11:44 | Aktualitet

Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare aktori amerikan me origjinë irlandeze Brian Dennehy. Aktori ka vdekur në shtëpinë e tij në Konektikat, për shkaqe natyrore jo të lidhura me koronavirusin.

Edhe pse nuk arriti kurrë të ishte një ”yll” i veçuar në Holliwood, Dennehy ka qenë shpesh herë anti-heroi i disa prej filmave më të njohur në dekadat e fundit, ku shpesh herë identifikohej me “të ligun”.

Dennehy mori famë në rolin e sherifit William Teasle në filmin “Rambo” në 1982, por luan role edhe në filma mitike si “Serpico” dhe “Kojak”.

Nga ai moment, karriera e tij do të shohë ngritje me më shumë se 100 role, në kinema dhe teatër,  ku përmenden ato në “Silverado”, ”Cocoon”, “Gorky Park”.

Aty ku kishte një polic të korruptuar, ose një drejtor të paskrupullt të CIA, aty kishte një rol për aktorin. Asnjëherë si protagonist, por shpesh herë me interpretimin më të vlerësuar nga publiku.

Kohët e fundit, aktori që ka fituar gjithsesi çmime të rëndësishme si Tony Awards dhe Golden Globe, i ishte dedikuar serialeve të suksesshme, si “Black List”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos