
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit njoftoi se në mbledhjen e kësaj të enjteje është miratuar projektligji i ri për ndotjen akustike gjatë sezonit turistik. Kumbaro tha se do të përcaktohen qartë zonat me muzikë të lartë dhe kompetencat e të gjitha institucioneve.
“Është një pune 1-vjeçare dhe rezultat i punës së bërë gjatë vëzhgimit të sezonit të kaluar turistik ku një nga shqetësimit e mëdha të bizneseve, operatorët dhe pushuesit ishte ndotja akustike në nivele të larta për shkak të muzikës në lokale, bare, restorante dhe hotele”.
Sipas saj, pas miratimit të ligjit në parlament do të ketë një kontroll shumë më të rreptë të tij, fasha orare shumë më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të Policisë së Shtetit të kontrollit me mjete të certifikuara dhe sipas standardeve të OBSH-së, për të kontrolluar ndotjen akustike dhe zbatimin e orareve, por edhe një detyrë të re edhe Bashkive të cilat do të kenë detyrimin të përcaktojnë hartën e zhurmave.
“Fashat orare për sezonin e verës për aktivitetet muzikore normale të përditshme do të jenë nga ora 12 e drekës deri në orën 12 të natës dhe në përputhje me hartëzimin e bërë nga Bashkitë edhe Policia e Shtetit do të marrë kompetencat për të matur, kontrolluar, monitoruar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma”. (A2 Televizion)