
Presidenti Bajram Begaj, në një tryezë me përfaqësuesit e angazhuar në procesin e zgjedhjeve të 14 majit, u shpreh se “eksperiencat e mëparshme na kanë përballur jo rrallëherë me fenomene negative dhe institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses ndaj tyre”.
“Sigurimi i standardeve zgjedhore është garanci e përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve. Procesi zgjedhor i drejtë e i paanshëm, i bazuar në Kushtetutë e ligj, është detyrim thelbësor ndaj vendit. Eksperiencat e mëparshme na kanë përballur jo rrallëherë me fenomene negative dhe institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses ndaj tyre”, deklaroi Begaj.
Presidenti shtoi se “kuadri ligjor i zgjedhjeve është më i plotë dhe instrumentet mbrojtëse më të avancuara”, duke theksuar se “shitblerja e votes dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore janë të patolerueshme”.
Gjithashtu, Begaj bëri thirrje që “subjektet të mos denigrojnë njëri-tjetrin”.
“Etika e garës dhe e komunikimit të rrezatojë qytetari, mirësjellje dhe respekt. Zgjedhjet kanë rol vendimtar për forcimin e besimit në institucionet e vendit dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në asnjë rrethanë nuk duhet të shtrembërohet dhe tjetërsohet vullneti dhe vota e lirë. Çdo intimidim apo shantazh duhet të denoncohet e dënohet! Zgjedhjet nuk janë të partive politike, por janë për qytetarët shqiptarë, janë për Shqipërinë”, u shpreh Begaj. (A2 Televizion)