Tërhiqet një tjetër kandidat i Alibeajt nga zgjedhjet lokale të 14 majit

Nga A2 CNN
12 Prill 2023, 23:53 | Politikë
Tërhiqet një tjetër kandidat i Alibeajt nga zgjedhjet lokale

Një tjetër kandidat i Partisë Demokratike të Alibeajt është tërhequr nga gara për zgjedhjet lokale të 14 majit, duke e çuar në tetë numrin e atyre që e kanë lënë garën ende pa e nisur atë.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, kandidati i caktuar për Bashkinë e Gjirokastrës nga Alibeaj, Shemsho Lamaj, ka njoftuar vendimin për t’u tërhequr nga gara. Në reagimin e tij, ai shkruan se e kanë marrë këtë vendim për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet Partia Demokratike.

“Duke marrë shkas nga situata politike dhe gjendja ku sot ndodhet forca politike e PD-së, shumë nga miqtë e mi nga e djathta por edhe të pa kënaqur të elektoratit gri më kërkuan të kandidoj për postin e Kryetarit të bashkisë, gjë e cila më bëri të hezitoj për vetë situatën politike ku jemi, por më vuri edhe para përgjegjësisë përball këtyre njerëzve që kërkojnë shpresën, të lodhur dhe të zhgënjyer nga politika, të zhytur në varfëri ku përditë përcjellin familjare për në perëndim. Dara e pushtetit nuk ka limite.

I bindur se dualiteti i kandidaturave të djathta do të avantazhonte të majtën, por edhe ju të nderuar demokratë nuk duhet ta mbartni turpin e mos votimit të PD-së dhe të votoni një parti të majtë, pasi ishte kjo forcë politike që na nxori në opozitë në 2013, që largonte pa mëshirë demokratët nga puna. Ishte kjo forcë politike bashkëpërgjegjëse për represionin në 2014 mbi fshatin Lazarat, që me një brutalitet të pashoq terrorizuan popullin atje duke u shkatërruar pronën, duke i burgosur djemtë e fshatit edhe me burgim të përjetshëm (kujtojmë që PS në atë periudhë nuk mund të qeveriste e vetme si dhe Ministria e Drejtësisë drejtohej nga LSI), për kanabizimin e vendit, miratimin e reformës për ndarjen administrative, e cila favorizon tërësisht PS dhe te tjera mëkate që kanë rënë mbi kurrizin tonë”, shkruan ndër të tjera Lamaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos