
Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ka dekretuar dhënien e gradave madhore si gjeneralë dhe kundëradmiral, për disa nga figurat kyçe të ushtrisë shqiptare.
Më në detaj, kolonel Petrit Pal Çuni, me detyrë “Përfaqësues Ushtarak Kombëtar”, në Përfaqësinë Ushtarake Jashtë Vendit, në Ministrinë e Mbrojtjes, i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.
Kolonelit Ferdinant Vasil Dimo, me detyrë “Komandant”, në Qendrën e Arsimimit Profesional të Ushtarit (Qendra e Stërvitjes Bazë), në Akademinë e Forcave të Armatosura, i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.
Kolonelit Editson Jani Zarka, me detyrë “Drejtor i Inspektimit të Përgjithshëm”, në Ministrinë e Mbrojtjes, i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.
Kolonelit Ilir Koço Pujo, aktualisht me detyrë “Drejtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” (AISM), i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.
Kolonelit Ylli Nikol Pulaj, aktualisht me detyrë Zëvendëskomandant i Forcave Ajrore, i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.
Kapitenit të Rangut të Parë Adnand Dëfrim Agastra, me detyrë “Shef i Degës së Operacioneve dhe Stërvitjes”, në Forcën Detare, i jepet grada madhore “Kundëradmiral”.
Presidenti Meta vlerësoi se emërimet “do t’i shërbejnë motivimit të mëtejshëm të ushtarakëve profesionistë në përmbushjen e misionit të tyre, dhe detyrave që burojnë nga Kushtetuta dhe Ligji”. (A2 Televizion)