
Tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 i zgjoi shqiptarët me një zhurmë tmerruese. Dridhja e tokës shënoi pafuqinë tonë përballë natyrës, por edhe papërgatitjen tonë për të.
Kryesisht u vu re nevoja emergjente për forcimin e kapaciteteve në Emergjencat Civile dhe në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.
Pas tërmetit, efektivët e Emergjencave Civile, vuanin sa nga mungesa e përvojës, aq edhe nga organizimi i dobët dhe kërkonin me kazma pasi nuk kishin mjetet bazë për kërkim-shpëtimin në rrënoja.
Në kontrast me efektivët shqiptarë, kolegët e tyre nga Kosova, Italia, Greqia dhe vendeve të tjera që erdhën në ndihmë, ishin të kompletuar, që nga veshjet mbrojtëse e deri te mjetet e rënda për zhvendosjen e inerteve.
Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në qershor të vitit 2020, evidentoi mungesën e identifikimit të rreziqeve, stafit, mjeteve dhe trajnimeve në emergjencat civile.
Nga ana tjetër, IGJEUM ka regjistruar vetëm 15 sekondat e para të tërmetit të 26 nëntorit, kjo për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në stacionin e Durrësit. Në raportin që nxori më vonë Kontrolli i lartë të Shtetit, u tha se këto stacione duhet të jenë të pajisur me bateri (UPS), të cilat mundësojnë regjistrimin e të dhënave edhe nëse ndërpritet energjia elektrike. Po ashtu, KLSH tha se IGJEUM nuk ka në përbërje strukturë të teknologjisë si dhe asnjë pozicion specialisti IT.
Asokohe, Ministre e Brendshme, Olta Xhaçka, pranoi se po të mos kishim ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, bilanci i viktimave do të ishte edhe më i rëndë. Premtimet për forcimin e kapaciteteve në Emergjencat Civile nuk munguan. Po ku jemi dy vite pas tërmetit të 26 nëntorit?
Zjarret që përfshinë vendin këtë verë, nxorën në pah se shërbimi zjarrfikës, një nga sektorët më të rëndësishëm të emergjencave civile, është lënë në harresë.
Përveç pajisjeve, mjeteve dhe veshjeve, mungon një qendër trajnimi, ku zjarrfikësit mund të përmirësojnë aftësitë e tyre për të ndërhyrë në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Shërbimi zjarrfikës, ishte një nga strukturat e para që u angazhuan në shpëtimin e njerëzve nën rrënoja më 26 nëntor të vitit 2019, por edhe pse kanë kaluar dy vite, ende vuan nga mungesa e investimeve si në mjete ashtu edhe në trajnime për të rinjtë.
Sa i takon IGJEUM, sizmiologu Rexhep Koçi thotë se janë bërë disa ndërhyrje, megjithatë duhet digjitalizim i pajisjeve dhe trajnim i personave të rinj në moshë, pasi stafi është i përbërë nga persona mbi 50-vjeç e sipër.
Koçi thotë se duhet të kualifikohen njerëz për këtë sektor të rëndësishëm, sepse jemi vend sizmik dhe trajnimi i grupeve të ndërhyrjes së shpejtë në raste fatkeqësie, është i nevojshëm. (A2 Televizion)