
Analisti Dritan Shano deklaroi se në protestën e opozitës, shumë njerëz nuk morën pjesë pikërisht sepse ishte Sali Berisha organizatori.
Për Shanon, Berisha është një nga autorët e situatës në të cilën ndodhet Shqipëria, e cila me ndryshimet kushtetuese dhe sistemin aktual elektoral, nuk lejon qarkullimin e elitave.
“Unë jam një nga ata që nuk dola se protesta u thirr nga Berisha. Raporti i Freedom House e përmbledh me një fjali arsyen pse nuk shkova: Në Shqipëri opozita shihet njësoj e korruptuar si qeveria. Shqiptarët kanë 30 vjet që shohin të njëjtit njerëz. Një person që ka krijuar këtë bllokim total, është producent i këtij eventi dhe për mua mund të kthehet në mbiemra të tjerë.
Për çfarë u protestua? Për të ndryshuar sistemin elektoral që prodhon kryetarë të përhershëm? U protestua për të ndryshuar Kushtetutën dhe për t’u kthyer qeverisjen individit dhe jo partive? Si dëgjova këto gjëra. U prekën shumë tema, por jo këto. Thelbi i gjendjes së zezë në të cilën gjendet Shqipëria është pamundësimi i qarkullimit të elitave. Nuk mund të jetë i njëjti person dhe t’i flasë njësoj një 30-vjeçari të sotëm që ka qenë 0 vjeç kur ky filloi politikën”, u shpreh Shano. (A2 Televizion)