Komisioni i Integrimit miratoi parimisht draftin paraprak, me 16 pika, të projekt-rezolutës mbi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, edhe pse priten integrime të reja.
Në dokumentin e siguruar nga A2 CNN, Kuvendi ndër të tjerat “rikonfirmon se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është objektivi madhor i vendit dhe kryeson agjendën e tij kombëtare”, dhe “angazhohet të garantojë dhe të fuqizojë integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe të krijuara me ligj dhe kërkohet dialog konstruktiv ndërpartiak, implementimi i reformave të kërkuara nga BE dhe njohja me grupin negociator.
Në Komisionin e Integrimit, pavarësisht pse i vetëdijshëm që procesi i negociatave mund të jetë i kthyeshëm, ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj thotë se vendit tonë nuk i kanoset ky rrezik.
Cakaj nuk ishte në gjendje të japë një datë për mbledhjen e parë ndërqeveritare me Unionin. Atë çka Cakaj e pohon me bindje, është mungesa e sinjaleve negative nga vendi ynë, që do të ndikonin në kthimin e procesit të negociatave.
“Nuk ka rrezik për prapakthim i Shqipërisë, ndërkohë që procesi i Vettingut nga Raporti konsiderohet si i paprecedent dhe shembullor edhe në Rajon”, deklaroi Cakaj.
Opozitarja Rudina Hajdari i vuri në dukje edhe kultivimin në rritje të kanabisit duke cituar edhe kryeprokurorin Çelaj, por edhe distancimin që bëri ambasadori i BE Luigi Soreca për nismën e qeverisë mbi legalizimin e kanabisit mjekësor. Diçka kjo që për Cakajn nuk është një faktor shqetësues për negociatat. (A2 Televizion)