
Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, në një intervistë për “Ditari” në A2, deklaroi se Reforma Zgjedhore po zvarritet nga Partia Socialiste, e cila, sipas saj, “nuk do ndëshkimin e shitblerjes së votës dhe kriminalizimin e saj”.
“Si mundet që kjo Reformë Zgjedhore të krijojë besim te procesi zgjedhor, kur kemi një bashki që falsifikon një proces të tërë për të shkatërruar një pronë publike që ka mbrojtje jo vetëm nga shoqëria civile, por edhe mbrojtjen politike të institucioneve ndërkombëtare. Proceset zgjedhore në Shqipëri i kanë dëmtuar qeveritë në pushtet, jo kodet elektorale. Reforma Zgjedhore nuk është problem, ne kemi qënë gati që në 29 shkurt për ta miratuar dhe kemi dorëzuar të gjitha propozimet tona dhe presim reagimin e Partisë Socialiste. PS e zvarrit miratimin e Reformës Zgjedhore sepse nuk do ndëshkimin e shitblerjes së votës dhe kriminalizimin e saj. E vetmja mënyrë për të ndaluar këtë gjë është qeveria tranzitore”, tha Kryemadhi.
Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se nuk do të digjet kontrata që partia e tij ka me qytetarët, duke e hedhur poshtë këtë kusht. Por, Kryemadhi theksoi se “Rama nuk ka kontratë me qytetarët, por me kriminelët”.
Sipas kreut të LSI-së, “sot, paratë e shqiptarëve janë në xhepat e oligarkëve”.
“Prandaj shqiptarët sot janë më të varfër. Deri në vitin 2017, ka pasur një rritje ekonomike 4,4%, por ka qenë TAP-i. Sot, invesimet e huaja janë 0. Vetëm laboratorët e drogës kanë qenë investimi që kur ka ardhur Edi Rama në pushtet”, u shpreh Kryemadhi. (A2 Televizion)