
Ilir Meta e vlerëson pjekuri politike vendimin e qeverisë së Shkupit për zgjedhje te parakohshme përballë refuzimit të hapjes së negociatave. Në krah të presidentit të Maqedonisë së Veriut ai thekson se dhe në Tiranë duhet të ketë reflektime dhe jo fajësime vendesh anëtare.
“Kjo është zgjedhja e tyre, tregon pjekurinë e tyre politike dhe demokratike. Natyrisht që edhe tek ne ka rendësi të kemi një reflektim të menjëhershëm. Nuk ka kuptim të themi që Franca apo Holanda kanë probleme të brendshme dhe po na përdorin, nëse ne jemi një burim i shqetësimi të tyre”, deklaroi presidenti shqiptar.
Për presidentin maqedonas Stevo Pendarovski refuzimi për t’iu hapur negociatat të dy vendeve ishte i padrejtë.
“Procesi i ndarjes së dy shteteve asnjëherë nuk ka qenë pjesë e fjalorit tim politik, sepse mendoj se të dy shtetet duhej t’i fillonin negociatat para aderuese. Behët fjalë për një ndëshkim për vendin tim. Edhe Shqipëria paraprakisht ishte e kushtëzuar nga disa parlamente europiane. Mendoj se ky është një lloj ndëshkimi për të gjithë rajonin e Ballkanit, i pamerituar”, shtoi Pendarovski.
Ndërsa në mediat serbe qarkullon lajmi për një plan alternativ të Francës që t’i ofrojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut partneritet të privilegjuar, të dy presidentët ishin në një mendje se nuk do të pranojnë asgjë më pak se anëtarësimin e plotë.
“Çdo alternativë tjetër për vendet tona dhe Ballkanin Perëndimor është e papranueshme”, saktësoi Meta.
Për Pendarovskin, "nuk u tha publikisht por u përmend në disa takime me funksionarë të lartë të Bashkimit dhe Komisionit Europian, por dhe nga shtetet e tjera, forma e Asocimit ekonomik me atë komunitet, shtrirja e tregut të përbashkët europian pa bujqësinë. Ne nuk na mjafton të jemi pjesë e tregut të përbashkët europian, por patjetër duhet të jemi pjesë e institucioneve politike të BE. Nëse do të anëtarësohemi e pranojmë një qasje të tillë, por nëse do të shkohet në këtë linjë alternativash, formash partneriteti, atëherë duhet të themi jo“.
Të dy krerët e shtetit përkrahën idenë e forcimit të mëtejshëm ekonomik mes 2 vendeve. (A2 Televizion)