Reforma Zgjedhore, PD e PS "dakord" në distancë për ndërkombëtarët

Nga A2 CNN
25 Tetor 2019, 17:10 | Politikë
Reforma Zgjedhore, PD e PS "dakord" në distancë për

Ndërmjetësimi ndërkombëtar për Reformën Zgjedhore është një ide që duket se nuk i le indiferentë demokratët.

Në studion e A2, Sekretari për Çështjet Zgjedhore i PD-së, Ivi Kaso dhe bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Elektorale, Damian Gjiknuri bien dakord mbi faktin se produktet respektive mund të shkrihen me njëra-tjetrën.

“Sigurisht që jemi të hapur të shqyrtojmë të gjitha propozimet e vërteta që vijnë për të dhënë zgjidhje të vërteta”, deklaroi Kaso.

“Qoftë me zëdhënës të huaj, qoftë me ndërmjetës të huaj, qoftë në mënyrë direkte, si ta dëshirojnë ata. Ka mënyra për të gjetur komunikimet për të thënë që çfarë pranohet dhe çfarë nuk pranohet. Për ato gjëra që nuk pranohen, t’i drejtohemi ekspertizës ndërkombëtare”, u shpreh Gjiknuri.

Dakordësi duket se ka dhe mbi faktin që shitblerja e votave nuk mund të parandalohet me një deklaratë të kryetarit ku angazhohet solemnisht se nuk do të kryejë krim.

Kaso theksoi: “Askush nuk mund të besojë, as më naivi i shqiptarëve, që Edi Rama do të angazhohet që në zgjedhjet e ardhshme nuk do të blejë vota”.

Gjiknuri tha: “Ligji është i barabartë për të gjithë dhe ka përcaktuar rregulla. Kush shkel ligjin, ndëshkohet. Por, nuk ka ligj që të parandalojë shitblerjen e votës siç thotë PD”.

Por, ajo që ndan dukshëm palët është ideja e qeverisë teknike. I vetmi tolerim që socialistët mund të bëjnë është monitorimi nëpërmjet KQZ-së i aktiviteteve politike të administratës.

Damian Gjiknuri duket se është tërhequr nga ideja e largimit nga komisioni i reformës, por thekson se vendi për PD-në gjatë gjithë kohëzgjatjes së ndryshimit të kodit do të qëndrojë i disponueshëm: “Por, jo që unë të sakrifikohem për një interes të Partisë Demokratike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos