“Nëse nuk reagojmë do të asgjësohemi”, Nishani: Jam përgatitur për betejë të gjatë në reformimin e PD

Nga A2 CNN
18 Maj 2021, 22:45 | Politikë
“Nëse nuk reagojmë do të asgjësohemi”, Nishani:

Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Bujar Nishani tha se beteja për reformimin e PD-së do të jetë e gjatë dhe me sakrifica. Në studion e Absolut 4 ai tha se kush mendon që do të jetë një deja vu e viti 2017 ku pati zëra kritikë që më pas u shuan, është i gabuar, pasi beteja do të vazhdojë deri në rrëzimin e modelit të Bashës.

“Unë jam për betejë politike dhe kush ka mbështetjen që e rrëzon Bashën me këto manipulime që po bën, unë mendoj që duhet hyrë në betejë. Ai që  mund Bashën, mund modelin e tij nëse nuk e mund zotin Basha beteja  do të vazhdojë.  Unë jam përgatitur për betejë të gjatë për reformimin e PD. Kush e mendon se do jetë deja vu e 2017, është i gabuar. Ne do jemi një kapak që do ziejë, një presion të madh që do të shpërthejë siç duhet dhe nuk tërhiqemi nga kjo se është çështje e PD dhe jo e zotit Basha. Kur flasim për barazi e vlera në garë  flasim për çështje përplasjesh. Duhet hyrë në garë. Beteja është e gjatë dhe në betejë ka sakrifica. Ne jemi gati të marrim përsipër sakrificën”.

Nishani theksoi se nëse nuk reagojnë PD asgjësohet, ndërsa bëri thirrje për ringritjen e kësaj force politike.

“Nëse nuk reagojmë do të asgjësohemi, do të mbetemi 15 -20 %. Kemi prekur fundit, hajde të ringrihemi. Do sakrificë punë dhe procese. Jam kundër refuzimit të ringritjes”.

 Nga ana e tij analisti Gjergji Vurmo theksoi se PD duhet të çlirohet nga modeli që mbrojti mbrojti Gërdecin dhe 21 janarin.

“Modeli i Bashës mbrojti Gërdecin, 21 janarin, 8 vite heshtje të PD dhe Bashës që nuk guxonte t’i përmendte emrin 2-3 oligarkëvve. Duhet të çrrënjosin atë model të përqafuar deri tek anëtari më i thjeshtë. Modeli i Berishës është aty përmes Lul Bashës”.

Ish-presidenti Nishani tha se modeli nuk është vetëm akumulimi i së shkuarës por edhe produkt i risive negative që ka sjellë Basha.

“Berisha fitoi në 2005 dhe krijoi një imazh tjetër të PD. Modeli nuk është vetëm akumulimi i së shkuarës por edhe produkt i risive negative që ka sjellë Basha. Berisha ka qenë me autoritet të fortë. Berisha ishte kryetar, nënkryetari ishte nënkryetar dhe sekretari i përgjithshëm po ashtu anëtari i kryesisë. Sot Basha tenton të jetë, edhe kryetar, edhe nënkryetar dhe sekretar i përgjithshëm dhe kryetar dege. Kryetari i Këshillit Kombëtar nuk ka një tavolinë dhe karrige. E kupton si trajtohet partia. Këto janë koncepte që tregojnë ku ka mbetur civilizimi i nuk e përjashtoj veten nga përgjegjësia”.

Duke e konsideruar të drejtë kandidimin e Fatbardh Kadillit për kreun e PD-së, Nishani theksoi se do të vlerësohen ata që japin garanci për ringritjen e PD, teksa përjashtoi edhe veten nga gara.

“Grupi për PD nuk është institucionalizuar, na bashkojnë idetë, kemi gjykuar që duhet të jetë dikush në garë. Të gjithë ata që janë brenda grupit, janë opsione, përveç Nishanit. Kandidatura e Kadillit është e drejtë e tij, për të garuar, por ne do të gjykojmë se kush jep garancitë më të mëdha për mëbshtetje për ringritjen e PD”.

Nishani përjashtoi gjithashtu edhe ndikimin apo mbështetjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në këtë mision për ringritjen e PD-së.

Nëse unë do të veproja si njeri, si politikan e ish-president, kryetar i Këshillit Kombëtar mbi bazën e ndikimeve të tjera përfshirë dhe Berishën nuk do të isha i vërtetë para shqiptarëve e Berishën e kam patur bashkëpunëtor dhe mik gjithë jetën, por nuk ka lidhje mes  asaj që mendon Berisha dhe asaj që jam shprehur unë. Do të fyeja Berishën dhe veten time. Unë kam shprehur gjithçka që ndjej dhe besoj”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos