
Bujar Nishani, kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, theksoi në “Absolut 4” në A2 se Lulzim Basha “po përcakton se kur do të bëhen zgjedhjet brenda partisë, kush ka të drejtë të shkojë në zgjedhje dhe sa kohë ka në dispozicion për fushatën”.
Sipas tij, “Komisioni i Zgjedhjeve në PD nuk është i drejtë, është ndërtuar në mënyrë të njëanshme nga zoti Basha”.
“Gara është e padrejtë dhe e paragjykuar që në fillim, por beteja është e gjatë dhe në betejë ka edhe sakrifica. Ne jemi të gatshëm t’i bëjmë sakrificat, ndryshe nga zoti Basha. Nëse dikush nuk e mund Lulzim Bashën, do të vijë tjetri. Beteja për reformimin e PD-së do të jetë e gjatë. Nuk tërhiqemi nga rruga që kemi nisur”, u shpreh Nishani.
“Basha nuk është i interesuar as për reformimin e partisë dhe as për reflektim. Për të ka rëndësi vetëm që të vazhdojë të jetë formalisht kryetar i PD-së. Ai e di fare mirë se mund të qëndrojë si kryetar i PD-së, por nuk i fiton dot zgjedhjet”, nënvizoi Nishani. (A2 Televizion)