
Neymar mund të sakrifikohet për të mbajtur në skuadër Kylian Mbappé. Ky është lajmi i bujshëm, që vjen nga Franca, pasi sulmuesi i paraqiti Paris Saint-Germain kërkesat për rinovimin e kontratës. Sipas “l'Equipe”, ylli brazilian pretendon 35 milionë euro në sezon, për të rinovuar kontratën që i skadon në vitin 2022.
Aktualisht, Neymar përfiton 24 milionë euro në vit dhe gjatë javëve të kaluara kampionët e Ligue 1 ishin shprehur të gatshëm ta mbanin në skuadër, për të ruajtur dyshen fantastike me Mbappé. Por, kërkesat e larta financiare të kapitenit të “seleçaos”, kanë bërë që sheikët e PSG të shqyrtojnë skenarë të tjerë.
Pretendimet e Neymar rrezikojnë të nxisin brenda ekipit një ankand me Mbappè, se cili do ta kishte rrogën më të lartë. Talenti i ri francez mund të shfrytëzonte situatën për të rezistuar tundimit nga Real Madrid dhe në këtë mënyrë, klubi do të ishte i detyruar të bënte sforco të mëdha financiare, në një periudhë të papërshtatshme prej krizës së shkaktuar nga pandemia.
Në situatën e krijuar, te Paris Saint Germain synojnë ta bazojnë të ardhmen te Mbappè, duke bërë që Neymar të përfundojë në merkato. (A2 Televizion)