Që prej 7 dhjetorit të vitit të kaluar kur mundej 2-1 nga Monchengladbach, Bayerni ishte i pamposhtur në 32 ndeshje, me anë të të cilave siguroi titullin në Gjermani, Champions League dhe së fundmi edhe Superkupën e Europës.
Por Hoffenheim ka befasuar këtë të diel kampionët e Europës, të cilët vinin në këtë ndeshje të kampionatit pas suksesit 8-0 ndaj Schalkes. Hoffenheim triumfoi 4-1 në një ndeshje ku bavarezët u dukën të lodhur, sidomos në mbrojtje.
Vendasit e mbyllën pjesën e parë 2-1, ndërsa shënuan edhe dy herë të tjerë në pjesën e dytë, duke kthyer me këmbë në tokë kampionët e Bayern para Superkupës së Gjermanisë mesjavën e ardhshme ndaj Dortmundit, ku mund të sigurojnë trofeun e radhës. (A2 Televizion)