Malick Thiaw ishte një nga surprizat pozitive të Milanit në fitoren ndaj Tottenham, në ndeshjen e parë të 1/8 të Champions League.
Qendërmbrojtësi gjerman, me baba senegalez dhe nënë finlandeze, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në atë që ishte debutimi i tij në kompeticion. Me vetëm pak minuta të luajtura në muajt e parë të sezonit, Thiaw po përfiton nga mundësitë që po i jep trajneri Stefano Pioli, duke u bërë kandidat i fortë për një vend të përhershëm titullari.
Gjermani fitoi dyluftimet me Harry Kane, Son dhe Kulusevski, në një ndeshje që nuk ishte e lehtë për të apo për ekipin e tij. Thiaw kishte luajtur vetëm 230 minuta para ndeshjes kundër londinezëve dhe ishte qendërmbrojtësi i pestë në hierarkinë e Piolit. Dëmtimi i Tomorit dhe sistemi i ri i Milanit, i cili ndeshjet e fundit i luan me tre qendërmbrojtës, bëri që trajneri t'i jepte mundësinë dhe ai iu përgjigj. Përveçse nuk bëri gabime, kishte edhe një shans të pastër për të shënuar.










Pas ndeshjes, ai u shpreh: “Nuk kisha përjetuar kurrë një fitore në një atmosferë të tillë. M’u desh pak kohë që të përshtatesha dhe të kuptoja futbollin italian, por tani jam mirë dhe dua më shumë”.
Me Milanin, Malick Thiaw debutoi vetëm më 16 tetor. Që nga rifillimi i kompeticionit pas Kupës së Botës, ai luajti 20 minuta në derbin kundër Interit, luajti titullar të premten e kaluar kundër Torinos dhe përfundoi ndeshjen e tij të dytë në njëmbëdhjetëshen e parë kundër Tottenham. Ai ka pritur momentin e tij dhe ka përfituar nga rrethanat për të filluar të tregojë nivelin. Duke parë vështirësitë në mbrojtje që Milani ka pasur gjatë gjithë sezonit, Pioli vendosi të prezantojë një skemë të re loje dhe skuadra ka nisur të luajë me tre qendërmbrojtës, në një mbrojtje me pesë. Kjo ka bërë që Thiaw të ketë shanse më shumë, duke u zbuluar si një nga surprizat e sezonit dhe duke fituar një pozicion titullari.
Kundër Spurs ai ishte një “mur”, e lexoi lojën në mënyrë perfekte si taktikisht ashtu edhe fizikisht, dhe anuloi të gjitha veprimet sulmuese të kundërshtarit.
Thiaw ka kaluar nëpër akademitë e Bayer Leverkusen dhe Borussia Mönchengladbach, përpara se të bashkohej me Schalke 04 kur ishte vetëm 14 vjeç. Në vitin 2020, për shkak të problemeve financiare dhe sportive të klubit, ai u promovua në ekipin e parë dhe filloi të aktivizohej shumë. Në fakt, është pjesë e sezonit katastrofik të Schalkes që përfundoi me rënien në Bundesliga 2. Qendërmbrojtësi ka luajtur 26 ndeshje në Bundesligë dhe ka fituar vetëm dy. Në Serinë A ka luajtur gjashtë dhe tashmë ka arritur tri fitore.
Në skuadrën e Gelsenkirchen filloi të luante si qendërmbrojtës i djathtë në rreshtimin me 3 mbrojtës. Më pas, ai ishte qendërmbrojtës në një rreshtim me 4 mbrojtës dhe përfundoi duke luajtur sërish si qendërmbrojtës i djathtë në rreshtimin me 3, kështu që përshtatet në mënyrë perfekte për atë që kërkon tani Pioli. Surpriza e madhe është se ai ka luajtur gjithmonë në krahun e djathtë dhe te Milani po e bën këtë si qendërmbrojtës në të majtë.
Përveç kësaj, ai është bërë një pjesë kyçe e përfaqësueses gjermane U-21. Ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi Evropianin U21 të vitit 2021, megjithëse nuk luajti, por tani është një nga kapitenët e ekipit. Tani, Thiaw është prezantuar në elitën evropiane dhe dëshiron të konsolidohet. Koha do të tregojë nëse do ia arrijë apo jo. (A2 Televizion)