Nga orgjitë me 10 femra te kokaina, të gjitha akuzat dhe skandalet që lidhen me Luis Rubiales

Nga A2 CNN
29 Gusht 2023, 21:02 | Futboll

Tabloidi britanik TheSun ka publikuar këtë të martë një artikull ku liston të gjitha skandalet për të cilat akuzohet ose ka lidhje Presidenti i Federatës Spanjolle të futbollit të femrave, Luis Rubiales.

Skandalet duken se e kanë rrethuar Rubiales edhe përpara puthjes së tij famëkeqe në buzë me sulmuesen Jenni Hermosa, në ceremoninë e ngritjes së trofeut të Botërorit.

Luis Rubiales është akuzuar më parë për "orgji" në grup të cilat dyshohet se janë paguar me fonde biznesi, por edhe për gjuhë të papërshtatshme ndaj punonjësve.

Ai është fajësuar nga xhaxhai i tij, që është shefi i shtabit në selinë e FA-së në Madrid, duke thënë se Rubiales kishte organizuar një festë private me 8 ose 10 vajza të reja dhe e kishte detyruar të paguante për të me fondet e shoqatës.

Gratë dyshohet se kanë marrë pjesë në orgji me pretekstin se ishte një event pune, por tarifat e tyre janë paguar nga federata e futbollit, sipas xhaxhait të Rubiales.

Rubiales gjithmonë këmbënguli se nuk kishte festë dhe se ngjarja ishte në fakt për qëllime pune, duke thënë se kishte zhvilluar një barbekju me miqtë.

Duke luajtur si mbrojtës për skuadrat spanjolle Mallorca B, Xerez dhe Levate, ai pushtoi fillimisht tituj e gazetave në fund të viteve 2000, kur protestonte së bashku me shokët e tij të skuadrës për pagat e papaguara.

Në vitin 2010, pasi u tërhoq nga loja, ai u bë president i sindikatës së Shoqatës së Futbollistëve spanjollë.

Ai mori postin e tij aktual si shef i FA spanjolle në vitin 2017, e tanimë 6 vite më pas është thirrur të japë dorëheqjen pas kritikave të rënda për skandalin pas finales Spanjë-Angli.

Një ndër akuzat që rëndon mbi të për ngacmim seksual është bërë nga menaxherja e marketingut për Shoqatën e Futbollistëve të Spanjës, Tamara Ramos. Ajo pretendoi javën e kaluar se Rubiales e pyeste se çfarë ngjyre i kishte veshur të brendshmet kur punonte në shoqatë.

Shumë gra po ashtu kanë hedhur ndaj tij akuza që variojnë nga "mizogjinia te ngacmimi seksual" dhe disa thonë se ai përdorte fondet publike për të kryer orgji.

Ndërkohë, emri i tij del edhe në një skandal tjetër, ku komplotohej transferimi i finales së Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite. Në këtë audio-skandal Rubiales diskutonte me ish-lojtarin e Barçës, Gerard Piqué.

Duke pretenduar se audio përgjimet ishin pjesë e një fushate për ta njollosur atë, Rubiales pretendoi se kishim të bënim me një "akt mafioz".

Nuk mund të garantoj se një ditë do të vendosin një qese me kokainë në bagazhin e makinës sime”, u shpreh ai.

Në fund të vitit 2022, 15 lojtare femra i postuan një letër të hapur federatës duke u ankuar për sjelljen e drejtuesve të RFEF.  Rubiales reagoi duke thënë se lojtaret që u ankuan po shantazhonin federatën dhe tha se gratë duhet të kërkojnë falje.

Tani në skandalin e tij të fundit, Rubiales po përballet me një hetim për "sulm seksual" dhe ka refuzuar të japë dorëheqjen, ndërsa revolta ndaj tij ka shpërthyer në të gjithë Spanjën.

FIFA e ka pezulluar atë përkohësisht për 90 ditë dhe ka nisur procedurat për ta përjashtuar për një afat maksimal prej 15 vitesh, pretendon Daily Mail. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos