Orët e nxehta të merkatos në Serie A, Lukaku zbarkon në Romë, Milan e Inter me sytë nga Taremi e Pavard

Nga A2 CNN
29 Gusht 2023, 12:50 | Futboll
Orët e nxehta të merkatos në Serie A, Lukaku zbarkon në

Edhe pse Serie A ka luajtur dy ndeshjet e para të sezonit 2023-2024, shumë ekipe janë ende të paplota dhe janë të përqendruara ende në merkato për të përfituar sa më shumë në orët e fundit të saj.

Roma ka bërë goditjen e rëndësishme teksa sot zbarkon në Romë Romelu Lukaku, ish-sulmuesi i Interit, për të cilin u fol shumë këtë verë, por në fund vendosi të vihet nën urdhrat e trajnerit Mourinho.

Sipas mediave italiane, anglezëve të Chelsea-t do t’iu shkojnë 5 milionë euro, plus bonuset për huazimin. Për sulmuesin është gati një pagë prej 7.5 milionë eurosh.

Ndërkohë, Interi po punon fort për të siguruar francezin Pavard, i cili prej disa sezonesh është pjesë e Bayern Munchen. Sipas Sportmediaset, e marta është dita finale ku do të vendoset për lojtarin pasi në takimin e së hënës kampionët e Gjermanisë kishin kërkuar më shumë kohë. Nëse kjo pistë do të dështonte, plani B i Interit është Tanganga i Tottenham, por nuk përjashtohet as Perr Schuurs nga Torino, i cili e njeh mirë Serie A dhe do të ishte menjëherë i gatshëm për trajnerin Inzaghi.

Në anën tjetër, Milani, i cili ka kryer më shumë se kushdo tjetër lëvizje në këtë merkato vere, ka si objektiv për të mbyllur merkaton iranianin e Portos, Taremi. Sulmuesi luajti mbrëmjen e së hënës, ndoshta ndeshjen e fundit me skuadrën portugeze, ku nuk mundi të lërë gjurmë. Sipas mediave në Itali, portugezët nuk ulen nën 25 milionë euro, edhe pse lojtari është në vitin e fundit të kontratës. Ndërkohë, Milani nuk ka dhënë më shumë se 15 milionë euro dhe 3 milionë bonuese. Me lojtarin marrëveshja është arritur, por mbetet të presim deri më 31 gusht për të mësuar skuadrat e plota që do të luftojnë këtë sezon për të thyer Napolin kampion në fuqi të Italisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos