Ngacmimet pas shortit, Partizani dëshironte derbin, Olsi Rama "kunj" Tiranës

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2021, 08:48 | Futboll
Ngacmimet pas shortit, Partizani dëshironte derbin, Olsi Rama

Në humor të mirë dhe ngacmime për rivalët. Me Partizanin që është kthyer fuqishëm në kampionat, të kuqtë nuk ngurojnë të shigjetojnë Tiranën, skuadër që vetëm pak javë më parë e nxorrën nga gara për titull. Me bardheblutë që janë eliminuar edhe në Kupë, batuta erdhi nga drejtori i Partizanit, Olsi Rama.

“Para shortit më pyetën në formë shakaje se cilin kundërshtar dëshiroja. U përgjigja se do të më pëlqente të luanim derbi. Më thanë që Tirana është eliminuar, por edhe derbi me Dinamon është shumë mirë”, u shpreh Olsi Rama, drejtori i Partizanit.

Ftesa është mirëpritur. Edhe pse në dhjetor të vitit 2020 luajtën dhe fituan në kategorinë e parë ndaj Partizanit B, Dinamo shpreson që derbi me të kuqtë të mund të luhet pse jo, në gjysmëfinalet e Kupës.

“Do të isha shumë i kënaqur, që nëse arrijmë të kualifikohemi në gjysmëfinale, të rikthejmë derbin Dinamo-Partizani”, deklaroi Ermal Barushi, administrator i Dinamos.

Dinamo dhe Partizani janë ndeshur për herë të fundit në mars të vitit 2013 në Kategorinë e Parë. Në kategorinë Superiore, dy skuadrat janë ndeshur në vitin 2009, ndërsa dueli në Kupë mungon prej 13 edicionesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos