
Ndërsa po mbushen 24 orë nga ngjarja tragjike në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër persona të tjerë mes të cilëve edhe një efektive policie, ende kjo ngjarje është e mbuluar me mister.
Përveç versioneve të shtabeve elektorale dhe drejtuesve politikë të PS-së dhe PD-së në qarkun e Elbasanit, policia deri më tani nuk ka nxjerrë një version zyrtar as për dinamikën e kësaj ngjarjeje.
Opinioni publik ende nuk e di, kush qëlloi i pari dhe kë. Asgjë nuk dihet se cili ka qënë roli i policisë në atë fushëbetejë ku u përdorën armët si në një skenë filmi aksion.
Ende nuk dihet mënyra se si dhe pse u qëllua i ndjeri Xhuvani disa metra larg mjeteve që dyshoheshin që ishin zanafilla e kësaj ngjarjeje. Dhe mungesa e këtij informacioni elementar, vjen në një kohë kur dhjetëra efektivë policie, si dhe dy drejtues të lartë të drejtorisë së policisë së Elbasanit ishin dëshmitarë okulare të kësaj ngjarjeje.
Edhe dhjetëra personat e shoqëruar për këtë ngjarje, duket se ende nuk kanë bindur policinë e shtetit që të dalë me një version zyrtar të paktën për dinamikën e ngjarjes.
Ashtu sikurse, ende nuk dihet asgjë zyrtare se çfarë është gjetur në mjetet që janë përdorur nga persona, që ishin protagonis në këtë përplasje me armë.
Ajo që dihet zyrtarisht është vetëm fakti i vetëdorëzimit të ish-efektivit të Reneas, Arbër Papleka, i cili ka pranuar se ka qëlluar për vetëmbrojtje ndaj viktimës, Pjerin Xhuvani.
Ajo që gjithë opinioni publik nuk dëshiron pas kësaj ngjarjeje është fakti që do të ishte e pafalshme që edhe kjo ngjarje të kalohej në heshtje siç kanë kaluar dhjetëra ngjarje të tjera kriminale në qytetin e Elbasanit. (A2 Televizion)