Ngjarja e Elbasanit, Vasili: Provokatorët mbeten gjithmonë nga Rilindja. LSI dyfishon mandatet

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 14:21 | Politikë
Ngjarja e Elbasanit, Vasili: Provokatorët mbeten gjithmonë nga

Petrit Vasili, nënkryetar i LSI-së dhe kandidat për zgjedhjet e 25 prillit, foli në Ditari me Alba Alishanin në A2 për ngjarjen e fundit në Elbasan, për fushatën zgjedhore në përgjithësi, por edhe për pritshmëritë nga 25 prilli.

Sa i përket ngjarjes së rëndë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ish-eksponent i LSI-së deri në vitin 2015 dhe u plagosën 4 persona, ai u shpreh se mazhoranca është e interesuar të krijojë tensione, ndërsa opozita kërkon qetësi, tha ai.

“Personi që humbi jetën ishte larguar prej kohësh nga LSI-ja, kohët e fundit ka qenë pjesëmarrës aktiv i Rilindjes. Nuk mund të kthehemi në një të shkuar që ka mbaruar prej kohësh. Ishte një ngjarje e paralajmëruar. Ndryshe nga zgjedhjet ku qeveritë janë të interesuara për qetësi, opozitat janë më aktive, më të drejtpërdrejta, këtu është e kundërta. Opozita bën thirrje për qetësi dhe provokimet vijnë gjithmonë nga pushteti. Një ngjarje e shëmtuar ndodhi Ditën e Verës. Kemi parë se si pushteti mbush magazinat e zjarrfikësve me ushqime. Mazhoranca është e interesuar të krijojë tension. Qeveria e ka dhënë qartë mesazhin, që e filloi si një qeveri që shkel ligjet dhe atë po bën ende. Provokatorët mbeten gjithmonë nga Rilindja.

Për dimensionin që ka marrë ngjarja e Elbasanit, besoj se zgjidhja e vetme është që drejtësia të flasë, por fati mbetet, skena të tilla kanë ndodhur atje. Ngjarje të ndryshme si me Luçiano Boçin. Bandat e kanë rrëmbyer në dorë situatën”, tha Vasili.

Më tej, ai u pyet edhe për strukturën për mbrojtjen e votës të bërë publike mbrëmjen e së mërkurës nga Gazment Bardhi. “Të gjithë njerëzit tanë janë vigjilentë për të evidentuar sjelljen e fëlliqur që po bën pushteti në dëshpërim. Nuk ka qytetarë që të shpenzojnë votën për këta”.

Vasili ngriti edhe njëherë tjetër akuza ndaj PS-së për patronazhistët, ndërsa theksoi se partia ku ai bën pjesë ka vetëm listat zyrtare dhe jo informacione të detajuara për qytetarët. “Ne nuk kemi asnjë databazë. Ne kemi vetëm listat e zgjedhjeve. Ne nuk kemi as karta identiteti, as telefona të të gjithë qytetarëve. Ne përdorim vetëm ato që janë listat zyrtare”.

Ai komentoi edhe zërat për përplasje me Luan Ramën në Vlorë, duke i hedhur poshtë kategorikisht ato, ndërsa theksoi se LSI-ja do të dyfishojë votat në këto zgjedhje.

“LSI-ja e Vlorës nuk ecën, por fluturon është në ditët më të mira të LSI-së në këto 17 vjet, fitorja në Vlorë fillon me 3 mandate. Kam thënë se lajmin më të hidhur, Rama do ta marrë nga Vlora. Objektivi është një fitore e madhe e opozitës, e cila nga dita në ditë po merr dimensione të mëdha. Ngjarjet e fundit kuptuan degradimin e mazhorancës. Besoj se projeksionet elektorale janë rritur në 2 javët e fundit. LSI po projektohet qartë të dyfishojë rezultatin, e shoh shumë të rritur, të fuqizuar dhe të pjekur. Listat e LSI-ja janë më të mirat që kjo parti ka pasur në këto 17 vite”, u shpreh Vasili. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos